Thursday 26 March 2009

Gjykata më vetëm 2 gjykatës

Gjykata Komunale e Drenasit, për mungesë të gjyqtarëve, grumbullon lëndë të pazgjidhura



Kryetari i Gjykatës Komunale të Drenasit, Avdi Haxhaj, ka bërë të ditur se nga 2.971 lënë bazike janë zgjidhur vetëm 1.446 sosh, ndërkohë kanë mbetur pa u zgjidhur 1.542 lënë, ose 52 për qind e numrit të përgjithshëm

Bekim Dobra

Drenas, 21 mars - Kreu i Gjykatës Komunale të Drenasit, Avdi Haxhaj, i është dashur t’i përvjelë mëngët vetë për të shqyrtuar 282 lëndë, ngase numri i kuadrove në këtë gjykatë nuk mjafton për t’u kryer puna me efikasitet. Kryetari Haxhaj është ankuar se numri i vogël i gjykatësve ka bërë që të mos ketë as kolegj penal, kështu që lëndët penale duhet të procedohen në Prishtinë. Gjykata Komunale në Drenas tash ka mbetur në vetëm dy gjykatës, ndërsa vitin e kaluar kishte tre. “Bazuar në numrin e banorëve që ka Komuna e Drenasit të paktën duhet t’i kemi 6-7 gjykatës, kurse kemi vetëm dy, në këtë mënyrë nuk e kemi numrin e mjaftueshëm të gjykatësve për ta pasur edhe kolegjin penal, kështu që lendët detyrohemi t’i dërgojmë në Prishtinë”, thotë Haxhaj. Duke folur me shifra, kryetari i Gjykatës, Haxhaj, ka saktësuar se nga 2.971 lëndë bazike janë zgjidhur vetëm 1.446 sosh, ndërkohë kanë mbetur pa u zgjidhur 1.524 lëndë, ose 52 për qind e numrit të përgjithëshëm. Ai tregon se 1.202 lendë janë trasheguar nga viti 2007 dhe që ato janë të grumbulluar nga viti 2003. Sipas një raporti të prezantuar, gjykata ka pasur në procedurë 555 lëndë të natyrës penale, nga të cilat janë zgjidhur 303 sosh. Lëndë të natyrës civile kishte në trajtim 679 lëndë, nga të cilat janë zgjidhur vetëm 273. Kryetari Haxhaj në veçanti, ka potencuar ngecjet në zgjidhjen e lëndëve përmbarimore (ekzekutimet). Sipas tij, nga 1.069 lëndë përmbarimore është arritur që zbatohen vetëm 332 prej tyre, kanë mbetur pa u përmbaruar edhe 737 sosh. “Mund të them me komoditet të plotë, se janë treguar rezultate në punë, ndonëse na kanë përcjellur shumë vështirësi, siç janë niveli i ulët i pagave, mosplotësimi i vendeve të zbrazëta për pozitën e gjykatësve, stërngarkimi me punë i stafit të adminstratës gjyqësore, si pasojë e moslejimit të vendeve të nevojshme shtesë të punës, stëvjetërimi i pajisjeve elektronike”, ka veçuar disa nga vështirësitë, ai. Haxhaj për një gjykatës më pak që ka mbetur gjykata ka thënë se arsyet janë se nuk ka stimulim për punën e bërë, ndërsa puna është tejet e ngarkuar. Një veshtirësi tjetër Hazhaj ka potencuar edhe ligjet e shumta, ato të UNMIK-ut, ato të ish-Jugosllavis që thotë se ende punojnë me to në mungesë të ligjeve të reja dhe i veshtirësojnë në masë të madhe punen.

No comments: