Saturday 7 March 2009

Këshilltarët e KK të Drenasit kundër aktiviteteve të dyshimta fetare

Aktiviteti fetar i OJQ-ve u debatua në Kuvendin Komunal të Drenasit


Të 31 këshilltarët e KK-së kanë votuar që ky institucion të marrë një vendim, sipas të cilit të gjitha OJQ-të që ushtrojnë aktivitete fetare fillimisht të licencohen

Bekim Dobra

Drenas, 31 janar - Këshilltarët e Asamblesë Komunale të Drenasit në seancën e parë të vitit 2009, unanimisht ka votuar propozimin që ky institucion të dalë me një vendim që ndalon të gjitha aktivitetet fetare të OJQ-ve të palicencuara. Një vendim i tillë është marrë pas shkresës së Bashkësisë Islame të Drenasit, e cila ka kërkuar që komuna të mos lejojë aktivitete fetare të asnjë organizate joqeveritare papëlqimin e saj. Për këtë shkak, deputetët kanë kërkuar që komuna të obligojë secilën organizatë joqeveritare që të pajiset me leje për të zhvilluar veprimtarinë e saj. Këshilltaret kanë shprehur të shqetësimin me punën e disa OJQ-ve dhe veprimtarinë e dyshimtë që zhvillojnë ato. Ismail Dibrani ka thënë se me to duhet të merret komuna, përkatëisht Drejtoria e Kulturës dhe ajo e Arsimit. “Të gjitha lokalet ilegale ku OJQ-të zhvillojnë aktivitete apo rite fetare e jofetare të mbyllën”, ka kërkuar Dibrani. Të njëjtën qasje këshilltarët e kanë pasur edhe ndaj zhvillimit të aktiviteteve fetare nëpër shkolla. Fatime Veseli duke kërkuar rregull në shkollë, ka rikujtuar normat petagogjike, të cilat përcaktojnë mënyrën e veshjes dhe shelljes në shkollë Kurse Fatmir Istogu ka alarmuar për rrezikun nga “njerëzit me mjekrra”, të cilët, sipas tij, po ndikojnë ne edukimin e fëmijëve. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe diskutimi i Ramiz Krasniqit, sipas të cilit “personat me mjekra dhe pantollona të shkurtër financohen nga njerëz të dyshjimt”. Në këtë kontekst, këshilltarët e KK të Drenasit kanë shfaqur vërejtjet e tyre për Udhëzimin Administrativë të Ministrisë së Shërbimeve Publike për veshjen dhe paraqitjen e personelit arsimor dhe nxënësve neë shkollë. Sipas paragrafit IV, pikës së 7 dhe 8 të UA-së “mustaqet, zylyfet, llojet e ndryshme të mjekrave, lejohen vetëm nëse mbahen të pastra dhe të prera mirë. Nuk lejohen kapela, shamitë, shallet e kokës, syzet e diellit gjatë procesit mësimor”. Kësisoj, deputeti Salih Elshani ka thënë se vendimi i MSHP-së nuk është aspak vendim që iu përshatatet shkollave. Duke kundërshtuar UA-në, ai ka thënë se nuk duhet të lejohen fare mjekrat, pantollonat e shkurtër, mustaqet dhe veshtjet tjera që përcaktojnë sekte fetare. Kolegi i tij, Sahit Bytyqi, njëherësh mësimdhënës në shkollën e Mesme Profesionale, “Fehmi Lladrovci”, ka pranuar se në shkollën ku ai punon në kabinetin e informatikës kryhen rite fetare, ndaj ka kërkuar nga KK-ja që një gjë e tillë të ndalohet në të gjitha shkollat.

Box:

Hapet xhamia e Zabelit

Drenas, 31 janar - Pas më shumë se tri javë të qendrimit mbyllur, xhamia e fshatit Zabel i Ulët, më vendim të Bashkësisë Islame të Drenasit është hapur. Kryetari i BI-së në Drenas, mulla Osman Musliu ka thënë se xhamia e fshatit Zabel së shpejti do të bëhet me imam të ri. Ky imam. Sipas tij, do të zgjidhet në bashkëpunim më banorët e fshatit dhe më Këshillin e Bashkësisë Islame. Xhamia e fshatit Zabel i Ulët të Drenasit ishte mbyllur pas rrahjes së kryetarit të BID-së, Osman Musliut. (B.D)

No comments: